Granit Xhaka ka deklaruar se nuk dëshiron të mbahet mend për keq nëse Kosova do të arrinte një fitore 6-0 ndaj Zvicrës, rezultat që do ta kualifikonte direkt Kosovën në Kupën e Botës.
Zvicra tashmë është shumë pranë kualifikimit, ndërsa “Dardanëve” u duhet një fitore e pamundur për ta rrëzuar nga vendi i parë.
Për mediat zvicerane, Xhaka u shpreh i vendosur: “Në futboll kemi parë shumë, por nuk duam të bëjmë historinë. Duhet të na mposhtësh 6-0. Nëse ata e arrijnë, është faji ynë”, tha ai për “Blick”.
Ai konfirmoi gjithashtu se Kupa e Botës 2026 do të jetë e fundit për të në fanellën e Zvicrës, njësoj si për disa lojtarë të tjerë, duke theksuar se dëshiron të ndihmojë gjeneratën e re me përvojën e tij.
Sa i përket penalltisë së diskutueshme në ndeshjen Zvicër–Suedi, Xhaka kritikoi reagimin e suedezëve.
“Ndonjëherë është më mirë të fokusohesh te vetja sesa te gjyqtari”.
Mesfushori shqiptar tani udhëton me ekipin helvetik drejt Prishtinës, ku të martën do të përballen me Kosovën në stadiumin “Fadil Vokrri” në ora 20:45. /AutoPortali



