Dy persona janë futur natën në qendrën motorike të skuadrës franceze Alpine F1 në Viry-Chatillon, duke thyer dritare dhe brava, përpara se të zhdukeshin pa lënë gjurmë. Nuk është raportuar asnjë vjedhje, por mbetet dyshimi për një tentativë spiunazhi industrial.
Dy personat kanë hyrë përmes një dritareje të thyer dhe janë drejtuar menjëherë drejt katit të sipërm, ku ndodhen zyrat e drejtuesve të ekipit. Autoritetet franceze raportojnë se të dyshuarit dukeshin sikur e njihnin mirë ambientin, kanë shkuar direkt në zyrat e duhura, kanë thyer bravat dhe kanë kontrolluar me kujdes dhomat.
Gjithçka ka ndodhur brenda pak minutash, dhe më pas ata janë zhdukur në errësirë, duke lënë pas vetëm disa copëza xhami dhe shumë pikëpyetje. Hetimet e para kanë përjashtuar çdo vjedhje materialesh, kompjuterësh apo dokumentesh.
Nuk janë regjistruar dëme të rëndësishme, por incidenti ka ngritur alarmin. Hipoteza më e përfolur është ajo e një tentative për spiunazh industrial, megjithëse deri tani nuk ka prova konkrete. Në një botë jashtëzakonisht konkurruese si ajo e Formulës 1, ku çdo detaj teknik mund të vlejë miliona euro, edhe një hyrje e thjeshtë e paautorizuar është më shumë se e mjaftueshme për të ndezur të gjitha sinjalet e alarmit.



