Një skandal i madh ka tronditur Anglinë pasi në një traget që udhëtonte drejt Sussex-it, pasagjerëve u është shfaqur një film për të rritur në vend të transmetimit të garës së Formulës 1, gjë që detyroi kompaninë pronare të reagojë menjëherë.
Incidenti ndodhi muajin e kaluar në anijen që lundronte nga Dieppe në Francë drejt Newhaven-it në Angli. Kompania DFDS tha se është “shumë e penduar” për atë që ka ndodhur, raporton BBC.
Sipas njoftimeve, filmi për të rritur është shfaqur gabimisht në ekranin e madh të sallonit të pasagjerëve në vend të Çmimit të Madh të Formulës 1. Fëmijët e pranishëm filluan të “ulërisnin”, sipas mediave britanike.
Thuhet se ekuipazhi nuk ishte i vetëdijshëm se çfarë po transmetohej, por sapo u njoftuan, e ndryshuan menjëherë kanalin. Incidenti ndodhi gjatë një pauze në Francë, pasi trageti ishte kthyer për shkak të një defekti teknik.
DFDS ka kërkuar falje duke thënë se kupton “zemërimin e justifikuar” të pasagjerëve dhe ka theksuar se një situatë e tillë “nuk do të ndodhë më”. Kanali u hoq nga lista e atyre që janë të disponueshëm në bord.



