Kosova dhe Zvicra u ndanë baras 1-1 në “Fadil Vokrri”, në një ndeshje me ritëm të lartë dhe shumë emocione, ku Dardanët treguan karakter sidomos në pjesën e dytë.
Zvicra rrezikoi e para në minutën e 6-të me Aebischer, por Arijanet Muriq realizoi një pritje vendimtare. Pjesa e parë vijoi me tentativa nga të dyja skuadrat, por pa gola.
Fillimi i pjesës së dytë ishte i pafavorshëm për Kosovën. Në minutën e 47-të, Sow asistoi për Ruben Vargasin, i cili me qetësi shënoi për 1-0.
Reagimi i Kosovës erdhi menjëherë. Me futjen e Zhegrovës dhe Zabërgjës, loja mori tjetër ritëm.
Goli i barazimit erdhi në minutën e 74-t, kur topi i devijuar shkoi te Florent Muslija, i cili goditi bukur nga distanca, duke e dërguar topin në këndin e djathtë për 1-1, gol që ngriti në këmbë të gjithë stadiumin.
Në minutat e fundit Kosova kërkoi edhe golin e fitores, por pa arritur të krijojë një rast të pastër.
Ndeshja u mbyll 1-1, rezultat i merituar dhe një sinjal i fortë pozitiv për Dardanët para play-offit.



