LeBron James ka vendosur një tjetër rekord madhështor në karrierën e tij legjendare.
Superylli i LA Lakers, tashmë 40-vjeçar, të martën mbrëma shënoi nisjen e stinorit të tij të 23-të në NBA, duke u bërë kështu lojtari me karrierën më të gjatë në ligën më prestigjioze të basketbollit në botë.
Derisa hynte në sezonin e ri, James thyen rekordin që e ndante me Vince Carterin, i cili kishte luajtur 22 stinorë në NBA nga viti 1998 deri më 2020.
Me këtë arritje, LeBron jo vetëm e zgjeron trashëgiminë e tij si një ndër basketbollistët më të mëdhenj të historisë, por gjithashtu i shton karrierës së tij një tjetër moment unik që vështirë se do të arrihet shpejt nga dikush tjetër.
Në ndeshjen e mbrëmshme, Lakers triumfuan me rezultat 140:126 ndaj Utah Jazzit.
James luajti 30 minuta, ku realizoi 11 pikë, shpërndau 12 asistime dhe 3 kërcime.
Edhe pse nuk ishte shënuesi kryesor, ndikimi i tij në lojë ishte i dukshëm si gjithmonë.
Më i miri te Lakers ishte Luka Donçiq, i cili shkëlqeu me 37 pikë dhe 10 asistime, duke udhëhequr ekipin drejt fitores.
Atmosfera në arenë ishte e veçantë, gjatë çerekut të parë, spikeri njoftoi publikun për arritjen historike të Jamesit, moment që u prit me ovacione të fuqishme nga tifozët.
Në monitorin gjigant u shfaq një dedikim i veçantë për rekordin e tij, duke e bërë natën edhe më emocionale.
Me këtë rekord, LeBron James vazhdon ta thellojë statusin e tij si ikonë e sportit, duke dëshmuar se edhe në moshën 40-vjeçare mbetet një forcë e rëndësishme në NBA dhe një shembull i shkëlqyer i qëndrueshmërisë, disiplinës dhe profesionalizmit.



