Gara e Formulës 1 për Çmimin e Madh të Las Vegasit është planifikuar të mbahet fundjavën e ardhshme.
Të dielën duhet të zhvillohet gara e Formulës 1 për Çmimin e Madh të Las Vegasit, por kushtet atmosferike mund ta vështirësojnë dukshëm mbajtjen e saj.
Sipas meteorologëve nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Las Vegasi bën pjesë në zonat me rrezik të lartë, të cilat mund të përmbyten gjatë ditëve në vijim pas reshjeve të mëdha.
Pritet edhe një stuhi e fuqishme e shoqëruar me bubullima, ndaj që nga e mërkura në gjithë Las Vegasin janë të vendosura paralajmërime për një skenar të tillë.
Para garës do të mbahen sesionet e provave, ku gjithçka do të vlerësohet sërish, dhe ka 30 për qind gjasa që reshjet të nisin gjatë provës së parë të së enjtes.
Sa i përket kampionatit, Lando Norris ka 24 pikë më shumë se shoku i ekipit, Oscar Piastri, dhe kryeson garën për titullin kampion.
Edhe pse Lando nuk do ta sigurojë matematikisht titullin, ekziston mundësia që t’i hapë vetes rrugën drejt tij që këtë të diel.



