Ferrari nuk dorëzohet, Vasseor zbulon synimin
F

Ferrari nuk dorëzohet, Vasseor zbulon synimin

Në garën e Las Vegas, Ferrari synon të rinovojë sfidën e saj kundër Mercedes dhe Red Bull për vendin e dytë në Botërorin për konstruktorë.

Drejtori sportiv i “kokëkuqes” Frederic Vasseur shpreh optimizëm të moderuar për një garë në të cilën Ferrari dy herë është ngjitur në podium (Leclerc 2023 dhe Sainz 2024).

Një mision i mundshëm, por po aq i komplikuar, duke pasur parasysh se rivalët e tyre të drejtpërdrejtë kanë fituar aty (Red Bull me Max Verstappen në vitin 2023 dhe George Russell me Mercedes në vitin 2024). Ndërkohë që, gara e fundit në Brazil për Ferrari ishte një dështim, pasi të dy pilotët u tërhoqën nga gara.

“Las Vegas është një ngjarje unike në kalendar, atmosfera, programi, me garën që zhvillohet të shtunën në mbrëmje, por edhe vetë pista e bëjnë atë diçka të veçantë. Në raundet e fundit, kemi dhënë performanca të forta, kemi qenë në gjendje të luftojmë për vendet e para, dhe synojmë ta përsërisim këtë këtë fundjavë”, tha Vasseur.

“Do të jetë e rëndësishme të përqendrohemi në të gjitha sfidat specifike që paraqet kjo pistë. Menaxhimi i gomave në temperatura shumë të ulëta do të jetë përsëri çelësi, ashtu si edhe interpretimi i saktë i garës për të identifikuar mundësitë më të mira strategjike. Si gjithmonë, do të përqendrohemi te vetja, duke u siguruar që të mos lëmë asgjë të paplotësuar për sa i përket performancës”, tha Vasseur.

TË FUNDIT