Shefi i Ferrarit, Fred Vasseur, reagoi ndaj komenteve shumë pesimiste të Lewis Hamilton pas Çmimit të Madh të Las Vegasit, ku britaniku tha se nuk mori “asgjë pozitive” nga fundjava.
Hamilton përfundoi në vendin e 10-të pas një kualifikimi të dështuar në kushte të lagështa, edhe pse në garë fitoi shumë vende. Megjithatë, ai u shpreh i dëshpëruar dhe e quajti sezonin e tij të parë te Ferrari “më të keqin ndonjëherë”. Deri tani ai është i gjashti në renditje dhe ende pa podium, 74 pikë pas Leclerc.
Vasseur u përpoq ta ulte tonin e situatës: “E kuptoj reagimin e Lewis menjëherë pas garës, por duhet të qetësohemi dhe të fokusohemi te dy garat e fundit. Ai tregoi ritëm të mirë në FP1 dhe FP2, vetëm starti nga fundi i renditjes e prishi fundjavën”.
Ai shtoi se komentet e Hamiltonit u nxitën edhe nga fakti që pilotët duhet të flasin me mediat menjëherë pas garës, kur emocionet janë ende të larta:
“Pesë minuta pas garës është shumë e vështirë për ta. Është normale të flasësh me emocione”.

Vasseur theksoi se më e rëndësishme është puna që piloti bën me ekipin pas garës: “Rëndësi ka ajo që bëjnë të hënën në mëngjes me ekipin për t’u përmirësuar, jo çfarë thonë në intervistat pas garës”.



