CEO i Dorna-s, Carmelo Ezpeleta, nuk e ka përjashtuar mundësinë që MotoGP të zhvillojë gara në disa nga pistat rrugore që përdor Formula 1.
MotoGP ndodhet në një moment kyç pas blerjes së Dorna Sports nga Liberty Media, kompania që zotëron edhe F1. Kjo ka rritur pritshmëritë për bashkëpunime dhe afrime mes të dyja kampionateve.
Ezpeleta ishte i pranishëm në Çmimin e Madh të Las Vegasit të organizuar nga vetë F1 dhe u shpreh i impresionuar nga spektakli: “Sa i përket shfaqjes, ajo që bëjnë ata është e jashtëzakonshme”, tha ai për DAZN.
I pyetur nëse MotoGP mund të zhvillojë gara në qendër të një qyteti të madh, siç bën F1 në Las Vegas, ai tha se ideja është e mundur, por vetëm nëse garantohet siguria e pilotëve.
“Nuk kemi problem të garojmë në pista rrugore. E vetmja gjë që na duhet janë zonat e shpëtimit, dhe në Las Vegas është e vështirë t’i kesh. Por ka disa pista rrugore të F1 që mund t’i përdorim”.
Ezpeleta kujtoi se edhe pista Mandalika në Indonezi konsiderohet pjesërisht urbane: “Teorikisht është pistë qyteti, dhe ne garojmë aty”.

Formula 1 ka shtuar gjithnjë e më shumë gara rrugore, sidomos pas marrjes së drejtimit nga Liberty në 2017. Kalendarit të F1 për këtë vit i përkasin gjashtë pista të mirëfillta rrugore (Melburn, Xheda, Baku, Monako, Singapor, Las Vegas), ndërsa vitin e ardhshëm i shtohet edhe Madridi.
Ndërkohë, pesë pista të përhershme të F1 tashmë presin MotoGP çdo vit: Losail, Austin, Barcelona, Red Bull Ring dhe Silverstone.



