Kosova mëson vazon nëse kualifikohet në Kupën e Botës
K

Kosova mëson vazon nëse kualifikohet në Kupën e Botës

Federata Ndërkombëtare e Futbollit (FIFA) ka bërë publike të martën vazot zyrtare për shortin e Kampionatit Botëror 2026, i cili do të zhvillohet në SHBA, Meksikë dhe Kanada.

Ky edicion do të jetë i pari me 48 kombëtare pjesëmarrëse, të ndara në 12 grupe me nga katër ekipe, ndërsa shorti pritet të mbahet më 5 dhjetor në Washington, në një ceremoni madhështore me pjesëmarrjen e të gjitha federatave të kualifikuara dhe atyre që janë ende në garë.

Kosova vazhdon të mbajë gjallë shpresat për një paraqitje të parë historike në Botëror. “Dardanët” janë pjesë e play-offit evropian dhe më 26 mars do të përballen në Bratislavë me Sllovakinë, në gjysmëfinalen që mund të hapë rrugën drejt një suksesi të paprecedentë.

Në rast fitoreje, Kosova do të luajë finalen e play-offit më 31 mars ndaj fituesit të duelit Turqi–Rumani.

Triumfi në këto dy sfida do të siguronte kualifikimin e parë në histori për Kombëtaren kosovare.

Nëse arrin të kualifikohet, Kosova do të pozicionohet në vazon e katërt të shortit, së bashku me fituesit e tjerë të play-offeve evropiane dhe ndërkontinentale, si edhe me disa skuadra të tjera të renditura më poshtë në listën e FIFA-s, mes tyre Jordania, Kepi i Gjelbër, Gana, Kuraçao, Haiti dhe Zelanda e Re.

Vazoja e parë përmban disa nga superfuqitë e futbollit botëror dhe tri vendet nikoqire: Kanadanë, Meksikën dhe SHBA-në.

Aty gjenden po ashtu Spanja, Argjentina, Franca, Anglia, Brazili, Portugalia, Holanda, Belgjika dhe Gjermania.

Në vazon e dytë janë Kroacia, Maroku, Kolumbia, Uruguai, Zvicra, Japonia, Senegali, Irani, Koreja e Jugut, Ekuadori, Austria dhe Australia. Ndërkaq, vazoja e tretë përfshin Norvegjinë, Panamanë, Egjiptin, Algjerinë, Skocinë, Paraguain, Tunizinë, Bregun e Fildishtë, Uzbekistanin, Katarin, Arabinë Saudite dhe Afrikën e Jugut.

FIFA ka përcaktuar ndarjen në vazot duke u bazuar në renditjen më të fundit botërore, me qëllim që ekipet më të forta të mos ndeshen mes vete në fazën e grupeve.

Kualifikimi eventual i Kosovës, ashtu si edhe ai i Shqipërisë, që ndodhet në një rrugë të favorshme drejt Botërorit, do të shënonte një faqe të re historike për futbollin shqiptar dhe do të përbënte një moment krenarie kombëtare për të dyja vendet./AutoPortali

TË FUNDIT