Trajneri i xhudos, Driton Kuka, ka përmbyllur zyrtarisht sezonin elitar të vitit 2025 me një postim në Facebook, ku ka vlerësuar rezultatet e xhudistëve kosovarë pas Grand Slam Abu Dhabi dhe gjatë gjithë vitit.
Sipas tij, Distria Krasniqi ka zhvilluar një sezon të jashtëzakonshëm.
“Distria sivjet çdo garë fitoi medalje, kulmoi në Evropian me të artën dhe titullin e nënkampiones Botërore.Kjo e vendosi në krye të ranglistës botërore”, shkroi Kuka.
Edhe Laura Fazliu rikuperoi formën pas një viti të vështirë me lëndime, duke siguruar medalje në Kampionatin Botëror dhe duke u renditur e pesta në Abu Dhabi.
Shpat Zeka ka filluar rikthimin në arenën ndërkombëtare dhe pritet të luftojë për normën olimpike, një synim që mund të ndjekin edhe Akili e ndoshta Dardani.
Kuka theksoi se viti 2025 solli edhe emra të rinj premtues. “U shquan me medalje e suksese dhe kjo flet shumë.
Vazhdimësi e sukseseve janë edhe emrat e Jonit e Arbës te kadetët, të cilët që nga garat e para në kupat evropiane arritën rezultate të shkëlqyera”, u shpreh ai.
Ndërkohë, ekipi po vazhdon stërvitjet intensive: vajzat janë zhvendosur në Slloveni, ndërsa meshkujt do të udhëtojnë në Gjeorgji në ditët në vijim, duke filluar përgatitjet për sezonin e ardhshëm. /AutoPortali



