Zhgënjim i madh në kampin McLaren, sidomos për liderin e kampionatit Lando Norris, i cili e komentoi kështu vendin e katërt në Katar. “Është e vështirë për ta përtypur. Kemi pasur besim te vendimet e ekipit dhe morëm ne një risk që, në fakt, do t’i takonte rivalëve tanë ta merrnin”, ka thënë Norris.
“Në Katar nuk bëmë një punë të mirë, por gjatë këtij viti kemi bërë shumë herë gjërat siç duhet, duke fituar titullin e konstruktorëve me shumë javë para. Kështu është jeta. Duhet t’i rishikojmë gjërat dhe të kuptojmë çfarë duhet përmirësuar, edhe pse në të vërtetë unë e di shumë mirë çfarë ndodhi. Thjesht, nuk mund të shkojë gjithmonë çdo gjë siç duhet”, deklaroi Lando Norris.
Ndërkohë, Oscar Piastri, pas vendit të dytë në Lusail tha: “Bëra garën më të mirë të mundshme, por diçka nuk shkoi si duhet. E menaxhuam keq situatën dhe morëm vendime të gabuara. Megjithatë, jam ende në luftë për titullin dhe jam shumë i kënaqur me fundjavën time. Kisha një ritëm fenomenal, por tani për tani është e vështirë për t’u pranuar. Ne kemi qenë gjithmonë të lirë në zgjedhjet strategjike, gjë që herë më ka favorizuar mua, herë Landon, por këtë herë ishte një histori tjetër”, përfundoi australiani i McLarenit.



