Manchester City po përgatitet për sfidën e radhës në kampionat, ku do të përballet me Sunderlandin, një ekip që këtë sezon ka surprizuar me paraqitjet e tij bindëse.
Pas fitores ndaj Fulhamit mbrëmë, trajneri Pep Guardiola doli para mediave dhe foli me shumë respekt për kundërshtarin e radhës, duke theksuar se ndeshja nuk do të jetë aspak e lehtë, shkruan Indeksonline.
Guardiola u shpreh se ka analizuar me kujdes lojën e Sunderlandit, sidomos paraqitjen e tyre kundër Fulhamit, dhe mbeti i impresionuar nga intensiteti dhe cilësia që skuadra ka treguar.
“Ne tani do të luajmë ndaj Sunderlandit. I pashë ata kundër Fulhamit, o Zot! Tani e kuptoj pse ata janë në këtë pozitë, nuk ka asnjë dyshim. Janë të jashtëzakonshëm, top, top…”, deklaroi tekniku spanjoll, duke nënvizuar se ekipi i tij duhet të jetë maksimalisht i përgatitur.
Sunderland, në këtë periudhë, ka një kalendar të ngjeshur dhe tepër të vështirë. Sonte ata luajnë një ndeshje të rëndësishme ndaj Liverpoolit në “Anfield”, ndërsa vetëm tri ditë më vonë do të udhëtojnë drejt “Etihad”-it për t’u përballur me kampionët në fuqi të Anglisë.
City synon të vazhdojë ritmin pozitiv dhe të ruajë presionin në garën për kreun e tabelës, por Guardiola ka theksuar se çdo ndeshje ndaj Sunderlandit kërkon përqendrim maksimal, duke qenë se rivali është në formë të mirë dhe ka treguar stabilitet të madh këtë sezon.



