Marko shkarkohet nga Red Bulli, vendimet që i kushtuan largimin
M

Marko shkarkohet nga Red Bulli, vendimet që i kushtuan largimin

Epoka e artë e Helmut Markos në Formula 1 duket se ka mbërritur në fund. Drejtuesi historik austriak i ka thënë lamtumirë Red Bullit pas më shumë se 20 vitesh bashkëpunim, vetëm pak ditë pasi Max Verstappen humbi për 2 pikë titullin botëror.

Vendimi është bërë zyrtar pas një takimi me CEO-n Oliver Mintzlaff, duke e shtyrë Markon të largohej një vit para përfundimit të kontratës së tij. Lajmi u konfirmua nga gazeta holandeze “De Limburger”, e cila shkruan se pas këtij divorci qëndron një seri vendimesh të njëanshme të marra nga Marko gjatë viteve të fundit, vendime që kanë dëmtuar marrëdhëniet me skuderinë.

Një prej tyre lidhej me shkarkimin e Christian Hornerit, vendim i marrë plotësisht në mënyrë të pavarur nga Marko dhe që ka shkaktuar pasoja të konsiderueshme ekonomike për ekipin. Një tjetër vendim i ndërmarrë pa miratimin e drejtuesve ishte promovimi i Arvid Lindblad në Racing Bulls, duke i hequr vendin Yuki Tsunodas pas kalimit të Isack Hadjar te Red Bulli.

Qëndrimi i Markos u shfaq edhe gjatë verës, kur ai vendosi të nënshkruante kontratë me Alex Dany, pas largimit të këtij të fundit nga McLareni. Ky hap nuk u pëlqye nga drejtuesit, të cilët i kërkuan Markos të anulonte menjëherë kontratën, duke e detyruar ekipin të paguante qindra mijëra dollarë për të mbyllur marrëveshjen me pilotin irlandez.

Pavarësisht tronditjeve brenda Red Bullit, pika e vetme e sigurt mbetet Max Verstappen. Kampioni holandez do të qëndrojë në Milton Keynes të paktën deri në përfundim të kontratës së tij në fund të vitit 2028. Vershtapen do të mbështetet te zhvillimi i makinave të reja që nga sezoni i ardhshëm me synimin për të fituar titullin e pestë botëror në karrierë, duke u bërë figura kryesore rreth së cilës ekipi anglez synon të ndërtojë të ardhmen.

TË FUNDIT