Vili Veber, menaxheri shumëvjeçar dhe personi që zbuloi Michael Schumacherin, është sulmuar brutalisht dhe plaçkitur në vilën e tij në Shtutgart. 83-vjeçari është në gjendje shoku, ndërsa policia po heton rrethanat e sulmit.
Sipas gazetës BILD, persona të panjohur hynë me forcë në vilë, e lidhën Weber-in dhe zbrazën disa kasaforta, duke marrë sende të çmuara me vlerë ende të panjohur. Thuhet se në shtëpi ndodheshin edhe persona të tjerë gjatë sulmit dhe vetëm një orë më vonë njëri prej tyre arriti të njoftojë policinë.
Vetë Weber deklaroi për BILD: “Kam një nxirje në sy, policia kriminale është këtu dhe po flet me mua. Ndihem tmerrësisht. Jam krejtësisht në shok”.
Sulmi vjen në një periudhë delikate për të, pasi ai ka vuajtur pasoja serioze shëndetësore vitet e fundit, një goditje në tru para pesë vitesh dhe një infeksion në vitin 2022 që, sipas raportimeve, i shkaktoi humbje peshe rreth 25 kilogramë. Dikur i fuqishmi “Zoti 20 për qind” sot është me shëndet të brishtë.
)
Për botën e automobilizmit, Weber është shumë më tepër sesa ish-menaxher i Schumacher-it: ai është njeriu që e zbuloi, e udhëhoqi dhe e shoqëroi për shumë vite. Fakti që në moshë të thyer u bë viktimë e një akti kaq brutal ka shkaktuar reagime të forta përtej botës së sportit. Policia po vijon hetimet, por ende nuk ka asnjë gjurmë drejt autorëve. Weber është nën kujdes mjekësor dhe po përpiqet të rikuperohet nga shoku.



