Norris lëshon sfidën, dëshiron përballje me Hamiltonin
N

Norris lëshon sfidën, dëshiron përballje me Hamiltonin

Në moshën 26-vjeçare, Lando Norris është tashmë një veteran i vërtetë i Formula 1. Britaniku garon në elitë që nga viti 2019 dhe falë sezonit të tij spektakolar 2025, ai është bërë një nga pilotët e paktë aktivë që mund të mburret me një titull kampioni bote.

Të tjerët janë Lewis Hamilton, Fernando Alonso dhe Max Vershtapen. Pikërisht piloti holandez ishte ai që ia rrëmbeu kurorën Norrisit në vitin 2024, por këtë sezon renditja u përmbys. Megjithatë, diferenca ishte minimale: vetëm 2 pikë ndanë Landon nga Maxi (423 kundrejt 421), diferenca më e vogël që nga sezoni 2008, kur titulli u vendos me vetëm 1 pikë.

Talenti nga Bristol u shpall kampion bote në Abu Dhabi, duke u bërë piloti i tetë që fiton një titull me McLarenin. Lista e paraardhësve të tij është mbresëlënëse: Emerson Fittipaldi, James Hunt, Alain Prost, Niki Lauda, Ayrton Senna, Mika Hakkinen dhe Lewis Hamilton. Lando Norris i bashkohet këtij klubi elitar me meritën shtesë se i ka dhënë fund dominimit të dyfishtë të Red Bullit dhe Mercedesit, pasi që nga viti 2009 vetëm pilotë të këtyre dy skuadrave kishin fituar kampionatin.

Lando Norris tips Lewis Hamilton to bounce back in F1 2026 and says he  would 'love' more battles against Ferrari driver | F1 News | Sky Sports

Çfarëdo që të sjellë e ardhmja, Norris tashmë ka hyrë në histori. Prandaj, kur pyetet për një dëshirë për sezonin e ardhshëm, përgjigjja e tij surprizon. Dhe, për të qenë realistë, realizimi i saj duket i vështirë duke parë nivelin që ka treguar Hamilton me Ferrarin, pa asnjë podium në 24 gara me ngjyrat e Maranellos.

“Do të më pëlqente shumë të luftoja pak më shpesh kundër Lewis-it. Hamilton ka treguar se është, ndoshta, më i miri i të gjitha kohërave. Të gjithë e dinë se nëse dikush mund të rikthehet pas viteve të vështira, ai është zoti Hamilton dhe do të doja të kisha më shumë beteja me të”, u shpreh Norris për Sky Sports F1.

Më pas, piloti i McLarenit shtoi: “Është gjithmonë një privilegj të garosh kundër dikujt që është më i miri në botë. Në pistë ke disa pilotë të tillë të jashtëzakonshëm: Fernando Alonso, Lewis Hamilton dhe Max Verstappen… Shumë prej nesh duam të ndjekim hapat e tyre”.

Duke parë drejt së ardhmes, Norris theksoi se ndryshimet e mëdha në rregullore do ta tronditin rendin aktual të forcave në F1. “Vitin e ardhshëm, të gjithë do të kenë një shans. Të gjithë mezi e presin. Rivalët do të përpiqen të ma rrëmbejnë kurorën dhe unë dua të bëj gjithçka për ta mbrojtur. Mezi pres që ajo betejë të vijë”, përfundoi kampioni i ri i botës në Formula 1.

TË FUNDIT