Federata e Futbollit të Kosovës (FFK) ka bërë të ditur datën dhe detajet e zhvillimit të Superkupës së Kosovës, ku do të përballen Drita dhe Prishtina.
Sipas njoftimit zyrtar të FFK-së, ndeshja e Superkupës do të luhet më 25 janar 2026 (e diel), me fillim nga ora 14:30 sipas kohës lokale të Turqisë, përkatësisht 12:30 sipas kohës në Kosovë.
Finalja do të zhvillohet në stadiumin “Mardan Palace” në Antalia, ku do të përballen FC Drita, si kampione e Kosovës, dhe FC Prishtina, fituese e Kupës së Kosovës për edicionin 2024/25.
Duke pasur parasysh se të dyja skuadrat do të jenë të angazhuara në fazën përgatitore dimërore nga 15 deri më 30 janar 2026 në Antalia, Komiteti Ekzekutiv i FFK-së, në koordinim me agjendat e klubeve, ka vendosur që Superkupa e Kosovës të zhvillohet pikërisht në këtë periudhë dhe në këtë lokacion.
Ndryshe, kjo do të jetë hera e katërt që finalja e Superkupës së Kosovës zhvillohet në Antalia të Turqisë, pas përballjeve të mëparshme: Drita–Prishtina, Llapi–Ballkani dhe Prishtina–Ballkani. /AutoPortali



