Barcelona po planifikon të përforcojë repartin defensiv gjatë afatit kalimtar dimëror, por paralelisht pritet edhe largimi i një ose dy lojtarëve nga skuadra.
Emri kryesor që përflitet për largim është ai i Marc-André ter Stegen.
Portieri gjerman aktualisht ndodhet pas Joan Garcia dhe Wojciech Szczęsny në renditjen e portierëve dhe nuk shihet si pjesë e planeve të trajnerit Hansi Flick.
Edhe pse u rikthye së fundmi në fitoren e Barcelonës në Kupën e Mbretit ndaj Guadalajara-s, kjo paraqitje pritet të mbetet e vetmja e tij këtë sezon.
Flick ka qenë i qartë se 33-vjeçari duhet të gjejë një klub të ri për të siguruar minuta loje, veçanërisht në funksion të ruajtjes së vendit të tij me Kombëtaren e Gjermanisë për Kupën e Botës verën e ardhshme.
Bayern Munich tashmë ka hequr dorë nga ideja e transferimit të tij, por interesimi mbetet i lartë, sidomos nga Premier League.
Aston Villa është një nga klubet që ka shfaqur interes dhe, sipas raportimeve, ka kontaktuar Barcelonën për të marrë informacion mbi një marrëveshje të mundshme.
Klubet e interesuara kanë kërkuar gjithashtu sqarime për gjendjen fizike të Ter Stegenit, çka ka ndikuar që ai të aktivizohet në Kupën e Mbretit, duke dëshmuar se është në formë dhe i gatshëm për të luajtur.
Nuk përjashtohet mundësia që portieri gjerman të largohet edhe në formë huazimi.
Barcelona do të ishte e hapur për një marrëveshje me Aston Villën, por transferimi do të kishte më shumë kuptim për Ter Stegen vetëm në rast se Emiliano Martínez largohet nga klubi anglez.
Megjithatë, katalanasit preferojnë që portieri të largohet që në janar, ndërsa mbetet të shihet nëse klube të tjera do të futen në garë në javët në vijim. /AutoPortali



