Federata e Basketbollit të Kosovës ka vendosur që ndeshjet e para të Kupës së Kosovës të zhvillohen në fillim të vitit 2026.
Vendimi është marrë më 22 dhjetor 2025 nga Bordi i FBK-së, pas shqyrtimit të situatës së krijuar nga vendimi përfundimtar i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Sipas këtij vendimi, palestrat sportive nuk do të jenë në dispozicion duke filluar nga data 22 dhjetor, çka ka pamundësuar zhvillimin e xhirove të rregullta të garave dhe ndeshjeve çerekfinale të Kupës së Kosovës në ProCredit Superligë, të planifikuara për datat 24 dhe 25 dhjetor.
FBK ka vlerësuar se ekzistojnë pengesa objektive për zhvillimin e ndeshjeve dhe, me qëllim të ruajtjes së integritetit të garave dhe shmangies së paqartësive në planifikimin sportiv, ka vendosur riorganizimin e kalendarit garues.
Sipas Kalendarit të Përditësuar të Garave për edicionin 2025/26, aktivitetet do të rinisin më 7 dhe 8 janar 2026, fillimisht me ndeshjet e Kupës së Kosovës.
Më pas do të vazhdojnë garat e rregullta në ProCredit Superligë, si dhe zhvillimi i Ligës Unike për meshkuj, në përputhje me kalendarin e ri të miratuar. /AutoPortali



