Trajneri i Kombëtares shqiptare, Sylvinho, ka surprizuar ndjekësit me një postim reflektues në rrjetet sociale, ku ka ndarë një mesazh falënderimi dhe urimi në mbyllje të vitit.
Tekniku brazilian ka bërë një bilanc personal për vitin që po lëmë pas, duke e cilësuar 2025-ën si një periudhë të veçantë, të mbushur me përvoja të reja, emocione të forta dhe arritje të rëndësishme.
Ai thekson se e përmbyll vitin me ndjenjën e kënaqësisë për gjithçka që ka përjetuar, ndërsa shpreh shpresën që viti 2026 të jetë edhe më pozitiv për të gjithë.
Në mesazhin e tij, Sylvinho u ka uruar të gjithëve gëzuar festat dhe një vit të ri sa më të mbarë, duke përcjellë një ton optimist dhe mirënjohës.
“Të dashur miq, viti 2025 ishte një vit vërtet i veçantë. Një vit me përvoja të reja, arritje të jashtëzakonshme, zbulim emocionesh të reja dhe forcim të shumë të tjerave. E mbyll këtë vit me kënaqësinë që kam shijuar gjithçka që jeta më ka dhuruar, me shpresën që vitin e ardhshëm të gjithë të jetojmë edhe më mirë pranë atyre që duam. Gëzuar festat të gjithëve dhe një vit 2026 sa më të mbarë!”, ka shkruar Sylvinho në rrjetet sociale.
Ky postim vjen në një moment historik për futbollin shqiptar, pasi Kombëtarja, nën drejtimin e Sylvinhos, ka siguruar për herë të parë kualifikimin në fazën “Play-Off” të Kupës së Botës.
Kuqezinjtë do të zhvillojnë në muajin mars dy ndeshje vendimtare, që do të përcaktojnë rrugëtimin e tyre drejt Botërorit 2026. /AutoPortali



