Tifozët e Ferrarit këtë vit nuk janë aspak të kënaqur
T

Tifozët e Ferrarit këtë vit nuk janë aspak të kënaqur

Sezoni i Formula 1 që u mbyll pak javë më parë në Abu Dhabi ka lënë shije zhgënjyese te tifozët e Ferrarit. Titulli botëror i fituar nga Lando Norris, i pari në karrierën e tij, theksoi edhe një herë vështirësitë e skuderisë italiane për t’u rikthyer në majë.

Ferrari e përfundoi kampionatin me Charles Leclerc në vendin e pestë të renditjes së pilotëve, me 242 pikë, ndërsa Lewis Hamilton u rendit menjëherë pas tij me 156 pikë. Në renditjen e konstruktorëve, ekipi nga Maranello u pozicionua në vendin e katërt, larg objektivave historike të skuderisë.

Me mbylljen e këtij sezoni pritet të nisë një cikël i ri, me shpresën se viti i ardhshëm mund të sjellë më në fund një titull botëror, i cili mungon prej shumë kohësh. Ferrari nuk ka fituar titullin e pilotëve që nga viti 2007 me Kimi Räikkönen dhe atë të konstruktorëve që nga viti 2008.

Pikërisht për këtë situatë ka folur edhe ish-presidenti i Ferrarit, Luca Cordero di Montezemolo, i fundit që festoi një titull botëror me skuderinë italiane. Para finales së Superkupës së Italisë, ai ironizoi situatën aktuale, duke bërë një krahasim me ekipin e zemrës së tij, Bologna.

“A do ta fitojë më parë titullin Bologna apo Ferrari Botërorin në Formula 1? Me klimën që është krijuar në Maranello, më shpejt fiton Bologna”, u shpreh Montezemolo.

Bologna nuk ka fituar një titull kampion që nga viti 1964, ndërsa për Ferrarin periudha 2008–2025 përfaqëson tashmë krizën më të gjatë pa asnjë titull botëror, duke tejkaluar edhe intervalin e vështirë të viteve 1983–1999.

TË FUNDIT