Michael Schumacher konsiderohet një nga legjendat më të mëdha në historinë e Formula 1.
Piloti gjerman ka fituar plot shtatë tituj kampion bote dhe ka regjistruar 91 fitore në gara, shifra që për shumë vite përbënin rekorde absolute në këtë sport.
Përveç suksesit në pistë, Schumacher ka qenë edhe piloti më i suksesshëm financiarisht.
Sipas një liste të publikuar nga Racingnews365, ai kryeson renditjen e pilotëve të Formula 1 për sa i përket fitimeve totale, me një pasuri të vlerësuar rreth 790 milionë dollarë, duke lënë pas emra të mëdhenj si Lewis Hamilton dhe Fernando Alonso.
Pas përfundimit të karrierës sportive, Schumacher u përball me një aksident të rëndë gjatë skive në Alpet franceze.
Ai qëndroi për një periudhë në koma, ndërsa që prej asaj kohe familja ka zgjedhur të mbajë private informacionet mbi gjendjen e tij shëndetësore.
Pavarësisht mungesës nga jeta publike, emri i Michael Schumacher vazhdon të mbetet sinonim i suksesit dhe revolucionit në Formula 1./AutoPortali



