Infantino shpall revolucionin e pozicionit jashtë loje: Në të ardhmen vetëm në një rast do të konsiderohet off-side
I

Infantino shpall revolucionin e pozicionit jashtë loje: Në të ardhmen vetëm në një rast do të konsiderohet off-side

Presidenti i FIFA-s, Gianni Infantino, ka deklaruar se po shqyrtohen ndryshime të mundshme në rregullin e pozicionit jashtë loje, me synimin për ta bërë futbollin më tërheqës dhe më ofensiv.

Deklaratat ai i bëri gjatë Samitit Botëror të Sportit të mbajtur në Dubai.

Infantino theksoi se FIFA vazhdon të analizojë rregullat e lojës, ashtu siç bëri më herët me prezantimin e VAR-it.

“VAR u prezantua për ta bërë futbollin më të drejtë dhe për t’i dhënë gjyqtarit mundësinë të korrigjojë gabimet e dukshme. Ne po e përmirësojmë vazhdimisht këtë teknologji për të ndihmuar në marrjen e vendimeve të sakta”, u shpreh ai.

Një nga idetë që po rikthehet në diskutim është ndryshimi i rregullit të jashtë loje, i cili aktualisht kërkon që sulmuesi të jetë në një vijë perfekte me mbrojtësin për të qenë në pozicion të rregullt.

Sipas Infantinos, në të ardhmen jashtë loje mund të konsiderohet vetëm kur sulmuesi është plotësisht përpara mbrojtësit, çka do të favorizonte lojën sulmuese.

Megjithatë, presidenti i FIFA-s pranoi se çdo ndryshim duhet të kalojë përmes IFAB-it, organit përgjegjës për rregulloren e futbollit, dhe nuk është i lehtë për t’u zbatuar.

Po ashtu, Infantino bëri të ditur se FIFA po vlerëson edhe masa për të reduktuar humbjen e kohës gjatë ndeshjeve.

“Është e rëndësishme që loja të rrjedhë natyrshëm dhe ndërprerjet të mbahen në minimum”, përfundoi ai. /AutoPortali

TË FUNDIT