Nora Gjakova mbyll karrierën: Një kapitull i artë që përfundon në fund të vitit 2025
N

Nora Gjakova mbyll karrierën: Një kapitull i artë që përfundon në fund të vitit 2025

Pas 23 vitesh të përkushtuara ndaj sportit të xhudos, kampionia olimpike nga Kosova, Nora Gjakova, ka bërë të ditur zyrtarisht pensionimin e saj në moshën 33-vjeçare, duke i dhënë fund një rrugëtimi historik të mbushur me sakrifica, suksese të mëdha dhe krenari kombëtare.

Në ditën e fundit të vitit 2025, njëra nga xhudistet më të suksesshme që ka pasur Kosova ka vendosur të mbyllë kapitullin e karrierës së saj sportive.

Një rrugëtim që, siç e thekson edhe vetë ajo, ka qenë e gjithë jeta e saj deri më tani. E rritur dhe e formësuar përmes sportit të xhudos, Gjakova shprehet se ndihet e lumtur dhe mirënjohëse që arriti ta jetojë dhe ta realizojë ëndrrën e saj deri në fund.

Sfidat e shumta, humbjet dhe fitoret e mëdha, sipas saj, mbeten kujtime të paharrueshme që e ndërtuan si sportiste dhe si njeri, duke e renditur atë ndër sportistet shqiptare më të suksesshme të të gjitha kohërave.

Pas më shumë se dy dekadash karriere aktive, ajo thekson se ndihet plotësisht e përmbushur me gjithçka që ka arritur në arenën sportive ndërkombëtare.

Në mesazhin e saj lamtumirës, Nora Gjakova ka falënderuar familjen për hapat e parë në këtë rrugë, trajnerin Driton Kuka për udhëheqjen drejt medaljes olimpike, klubin Ippon të Pejës, shtetin e Kosovës për nderin e përfaqësimit, si dhe gjithë shqiptarët për mbështetjen e vazhdueshme ndër vite.

“Drejt fillimeve dhe ëndrrave të reja”, përfundon ajo mesazhin e saj, duke uruar një vit të mbarë 2026.

Postimi i plotë:

Faleminderit Xhudo…

Sot ne diten e fundit te vitit 2025 po e permbylli nje kapitull te rendesishem qe per mu ka qene e gjithe jeta ime deri tash,po e perfundoj karrieren time si sportiste.

Une jam rrit dhe kam marr fryme me sportin e xhudos dhe jom e lumtur qe e kom jetu andrren teme.

Sfidat,humbjet dhe fitoret do te mbesin vetem kujtime te paharrrueshme per mu sepse me kane bo nje nder sportistet me te sukssesshme shqiptare dhe mbi te gjitha njeriun qe jam sot.

Jam mirenjohese per kete rrugetim te bukur qe e kam pas dhe ndihem e permbushur me gjithçka qe kam arrite gjate ketyre 23 viteve karriere ne sport.

Faleminderit qe keni qene pjese e ketij rrugetimi: familjes per hapat e pare ne sport dhe per mbeshtetjen e vazhdueshme,Tonit qe me ngriti si sportiste deri ne titullin me te larte te Kampiones Olimpike,shokeve dhe shoqeve te Klubit Ippon ne Peje per çdo ndeshje e perkrahje,shtetit tim Kosoves🇽🇰per nderin edhe krenarine qe ma dha per me e perfaqesu dhe te gjithe shqipetareve kudo qe jane per perkrahjen nder vite

Faleminderit te gjitheve qe me keni qendru afer.

Kosova Judo Federation Kosovo Olympic Committee

Drejt fillimeve dhe endrrave te reja…

Gezuar 2026

TË FUNDIT