Anthony Joshua lirohet nga spitali pas aksidentit që pësoi ditë më pare
A

Anthony Joshua lirohet nga spitali pas aksidentit që pësoi ditë më pare

Boksieri britanik Anthony Joshua ka dalë nga spitali në Lagos dhe ka vendosur të qëndrojë në Nigeri për të vijuar rikuperimin nga lëndimet e pësuara në një aksident të rëndë rrugor.

Ngjarja ndodhi të hënën në autostradën Lagos–Ibadan, ku mjeti që transportonte Joshuan dhe dy anëtarë të stafit të tij u përplas me një kamion të ndalur.

Si pasojë e aksidentit humbën jetën Sina Ghami dhe Latif “Latz” Ayodele, dy bashkëpunëtorë të afërt të kampionit britanik.

Ghami shërbente si trajner i forcës dhe kondicionimit, ndërsa Ayodele ishte trajner personal i Joshuas.

Pas daljes nga spitali, Joshua vizitoi morgun për të nderuar kujtimin e miqve të ndjerë.

Sipas një njoftimi nga promotori i tij, Matchroom Boxing, ai do të qëndrojë edhe disa ditë në Nigeri për t’u rikuperuar plotësisht.

Komisioneri i Informacionit i shtetit Lagos, Gbenga Omotoso, konfirmoi se Joshua është shpallur klinikisht i qëndrueshëm dhe mund ta vazhdojë procesin e shërimit jashtë spitalit.

Joshua ka lidhje të forta familjare me Nigerinë dhe mban edhe shtetësi nigeriane, ndërsa një pjesë të fëmijërisë e ka kaluar duke ndjekur shkollë private në vend. Vetëm pak orë para aksidentit, ai dhe Ayodele kishin ndarë pamje në rrjetet sociale, ku shfaqeshin duke kaluar kohë së bashku.

Ngjarja ka tronditur botën e sportit, ndërsa tifozë dhe figura të njohura kanë shprehur ngushëllime dhe mbështetje për Anthony Joshuan pas humbjes së dy bashkëpunëtorëve të tij të ngushtë./AutoPortali

TË FUNDIT