Me rihapjen e fabrikave të Formulës 1, më 2 janar, ekipet nisën një garë intensive për t’u përgatitur për rregulloren e re të vitit 2026. Teksa afrohen testet në Barcelonë dhe Bahrein, si edhe gara e parë në Australi, po bëhet gjithnjë e më e qartë se avantazhi fillestar mund të vijë nga një element i vetëm: motori.
“Mund të jetë një rregullore e dominuar nga motori”, paralajmëroi Adrian Newey, projektuesi i Aston Martin. Njësitë e reja të fuqisë bazohen në një balancë 50/50 mes djegies së brendshme dhe energjisë elektrike, një sistem hibrid vetëm me ‘K’ dhe përdorimin e karburantit të qëndrueshëm, çka i bën ato vendimtare në performancë.
Edhe FIA pranon se diferencat mund të shfaqen që në debutim. “Shpresoj që faktori kryesor të jetë djegia e brendshme. Ka debutues dhe një rregullore të re, ndaj do të ketë diferenca”, u shpreh drejtori i makinave në FIA, Nicolas Tombazis. Sipas tij, megjithatë, nuk pritet një dominim afatgjatë si ai i Mercedesit në epokën hibride, pasi do të ketë konvergjencë brenda gjashtë muajve ose një viti.
Në këtë drejtim po punon edhe Aston Martin, që ka forcuar bashkëpunimin me Hondën pas afrimit të Andy Cowell. Sinjalet nga fabrika japoneze janë pozitive dhe objektivi është i qartë: të jetë konkurruese që në fillimin e epokës së re të Formula 1.



