Sergio Perez do të jetë një nga emrat e rinj të sezonit 2026 në epokën e re të Formulës 1. Meksikani, me gjashtë fitore dhe 39 podiume, është transferimi i madh i Cadillac, ku do të garojë përkrah Valtteri Bottas. Edhe pa u parë ende potenciali i ekipit amerikan, Perez ka tërhequr vëmendjen me deklaratat për të kaluarën e tij në F1.
Ai kaloi katër sezone te Red Bull, me momente kulmore si fitoret në Monaco dhe Baku apo mbrojtjen ndaj Lewis Hamilton në Yas Marina, por edhe me periudha të vështira që çuan në largimin e tij në vitin 2024.
“Të jesh shok skuadre i Max Verstappen te Red Bull është puna më e keqe në Formula 1”, deklaroi Perez në podkastin “Cracks”.

Sipas tij, gjithçka në Red Bull sillet rreth Verstappenit. “Christian Horner më tha se projekti ishte i Max-it”, zbulon Perez, duke nënvizuar mbështetjen totale për holandezin. Edhe pse kishte momente ku ishte konkurrues, përmirësimet e mëvonshme i sollën vështirësi dhe pasiguri.
Pas ndarjes nga Red Bull, Perez rikthehet në pistë në vitin 2026 me Cadillac, me synimin për t’u rikthyer sërish në qendër të vëmendjes në Formula 1.



