Viti 2026 në basketbollin e Kosovës nis me emocione të forta, pasi në program janë ndeshjet çerekfinale të Kupës së Kosovës.
Përballjet e para pritet të sjellin spektakël dhe rivalitet të madh, me duele mjaft interesante mes skuadrave pretendente.
Sonte, vëmendja kryesore do të jetë në Mitrovicë, ku kampionia në fuqi Trepça përballet me ish-kampionen Golden Eagle Ylli.
Duke marrë parasysh peshën e kësaj ndeshjeje, pritet një duel i fortë, ku të dyja skuadrat do të synojnë fitore dhe koshdallim sa më të lartë.
“Xehetarët” hynë në këtë fazë si fitues aktual të Kupës dhe synojnë ta mbrojnë trofeun.
Ndeshja tjetër e ditës së sotme është ajo mes Borës dhe Rahoveci 029, ku të dyja ekipet kanë objektiv të qartë kalimin në gjysmëfinale.
Spektakël pritet edhe të enjten, me dy përballje po ashtu shumë interesante. Takimi ndërmjet Vëllaznimit dhe Sigal Prishtinës cilësohet si mjaft i barabartë dhe me shumë emocione, ndërsa dueli kryesor i çerekfinaleve do të jetë ai mes Bashkimit dhe GO+ Pejës, dy skuadra me traditë që e kanë nisur mirë edicionin dhe ndodhen në pjesën e epërme të renditjes.
Të gjitha skuadrat do të kërkojnë rezultat pozitiv në ndeshjet e para, me synimin për t’u kualifikuar në gjysmëfinale.
Ndeshjet kthyese të çerekfinaleve do të zhvillohen më 21 dhe 22 janar./AutoPortali



