Fillimi i sezonit të ri të Formula 1 po afron, në një vit që shënon ndryshimin më të madh rregullator në historinë e sportit, me motorë dhe aerodinamikë tërësisht të reja. Sipas drejtorit të Ferrarit, Fred Vasseur, testet mund të përmbysin çdo parashikim dhe fjala kyçe për vitin 2026 është përshtatshmëria.
Në një intervistë për L’Equipe, Vasseur shpjegoi se Ferrari ka punuar paralelisht në disa projekte motorësh për të testuar ide të ndryshme, por sfida kryesore mbetet koha e gjatë e zhvillimit dhe njohja e gomave të reja Pirelli. Sipas tij, performanca e makinës do të varet shumë nga niveli i kapjes dhe mënyra si ajo ndikon në shpërndarjen e peshës dhe rikuperimin e energjisë.

Shefi i “kokëkuqes” theksoi se sezoni do të nisë drejt të panjohurës dhe se situata do të ndryshojë vazhdimisht nga testet në Bahrein deri te garat e para. “Duhet të mësojmë shpejt dhe të korrigjojmë parashikimet. Fillimi i sezonit do të jetë vendimtar”, përfundoi Vasseur.



