Lewis Hamilton feston sot 41-vjetorin, mes dyshimeve nëse sezoni 2026 mund të jetë i fundit i tij në Formula 1. Shtatë herë kampioni i botës vjen pas një viti të vështirë me Ferrarin, ku sezoni 2025 u mbyll pa podiume dhe me probleme të shumta teknike.
Pas një fillimi premtues, përfshirë fitoren në garën sprint në Kinë, skualifikimi i Ferrarit në Shangai rezultoi vendimtar, duke detyruar skuadrën të braktisë zhvillimin e makinës së vitit 2025 dhe të fokusohet te rregulloret e reja për 2026. Kjo ndikoi negativisht edhe në formën dhe vetëbesimin e Hamiltonit, i cili u dominua nga shoku i skuadrës, Charles Leclerc.
Shpresat e Hamiltonit dhe Ferrari-t tani lidhen me ndryshimet e mëdha rregullatore në Formula 1, të cilat pritet t’u përshtaten më shumë pilotëve me përvojë. Megjithatë, britaniku ka lënë të kuptohet se ka një kontratë afatgjatë me Ferrari-n, duke zbehur spekulimet për një largim të afërt nga Formula 1.



