Marc Marquez ishte i ftuar në emisionin “El Objetivo” në “La Sexta”, ku foli hapur për shëndetin, presionin, famën dhe të ardhmen e tij në MotoGP. Nëntë herë kampioni i botës, që së shpejti mbush 33 vjet, pranoi se tërheqja nga garat po bëhet gjithnjë e më reale.
“Gjëja më e vështirë për një sportist është të dijë kur të tërhiqet. Unë e di që do të largohem më herët, sepse trupi do të më detyrojë, jo mendja. Mendërisht ndihem shumë mirë, por çdo vit duhet të shoh si reagon trupi im”, tha Marquez.
Spanjolli theksoi rëndësinë e një rrethi të sinqertë njerëzish që e mbajnë me këmbë në tokë. “Është e rëndësishme që miqtë të jenë të lirë të të kritikojnë. Përndryshe, nuk janë miq, janë skllevër”, u shpreh ai.
Marquez foli edhe për raportin me paranë, duke treguar se përpiqet të mos krijojë ndjesi pabarazie me miqtë dhe partneren, përmes marrëveshjeve të natyrshme dhe të heshtura.

I pyetur për Valentino Rossin dhe incidentin e famshëm të Sepangut, Marquez tha se nuk dëshiron të jetojë me mllef dhe se gabimet në pista nuk bëhen kurrë me qëllim.
Në fund, ai u shpreh kundër idesë që fëmija i tij të bëhej pilot: “Mbiemri nuk do ta ndihmonte. Do të thoshin se ka arritur për shkak të emrit. Më mirë futboll, tenis ose diçka tjetër”, përfundoi kampioni i MotoGP.



