McLaren, pasi fitoi të dy titujt kampionë në sezonin e kaluar të Formula 1, po përqendrohet në sezonin e ardhshëm. Fitimi i titullit të pilotëve pas 17 vitesh nuk po e shpërqendron ekipin e Wokingut.
Duke marrë parasysh pushimin shumë të shkurtër dimëror dhe tri sesionet e testimit, nuk dëshiron të humbasë kohë.
“Nuk ka kohë për festë, pasi jemi duke u përgatitur për sezonin e ardhshëm“, tha shefi i McLaren, Andrea Stella.
McLaren është i vetmi ekip që ende nuk e ka njoftuar datën e zbulimit të makinës së saj të vitit 2026. “Jemi duke punuar fort që të mos zhgënjejmë, pasi duam një makinë fituese për sezonin e ri”, shtoi italiani.
“Gjithçka nis nga e para me rregullat e reja. Ka shumë risi që duhen parë nga afër, testuar e punuar me to. Të gjithë jemi duke punuar, pasi koha në dispozicion është e paktë”, tha Stella.



