Ka kaluar vetëm një muaj nga ndryshimi i madh në Formula 1. Lando Norris u shpall kampion bote në Çmimin e Madh të Abu Dhabit 2025, duke i dhënë fund dominimit të Max Verstappen, i cili megjithatë luftoi deri në fund për titullin e pestë radhazi.
Ndërsa Formula 1 tashmë fokusohet te sezoni 2026, gjithçka nis sërish nga holandezi dhe skuadra e tij. Red Bull, së bashku me ekipin satelit Racing Bulls, do të jenë të parët që do të zbulojnë makinën dhe konceptin për rregulloren e re. Edhe pse Audi doli i pari në pistë në Barcelonë, nuk mund të nxirren ende përfundime të qarta.
Vëmendja do të jetë te ekipi i Milton Keynes, i cili ka konfirmuar se makina do të prezantohet me dekorimin zyrtar në Panairin e Detroitit, në bashkëpunim me Ford. Për Red Bull, viti 2026 përfaqëson një fillim nga zero, me objektivin që t’i japë Verstappen një makinë konkurruese që nga gara e parë e sezonit. Prezantimi është planifikuar për 16 janar, në orën 04:00.



