Lojërat Olimpike Dimërore do të nisin në shkurt në Milano dhe Cortina, ndërsa këto ditë pishtari olimpik po udhëton nëpër Itali. Kjo është një mundësi që sportistë të njohur italianë të ndiejnë nga afër frymën olimpike.
Lojërat Olimpike do të fillojnë më 6 shkurt, ndërsa pishtari olimpik ka kohë që ka nisur udhëtimin nga Greqia dhe do ta përfundojë turneun në stadiumin “Giuseppe Meazza”.
Deri atëherë, ai po përshkon qytete të ndryshme të Italisë dhe është interesante se Pecco Bagnaia nuk është motoçiklisti i parë që ka mbajtur pishtarin olimpik. Javën e kaluar këtë nder e pati Marco Bezzecchi në Rimini, ndërsa të dielën ishte radha e Bagnaia-s.
Pishtari udhëtoi nga qyteti Bra drejt Torinos dhe, përveç pilotit të Ducati-t, u mbajt edhe nga volejbollistja Marina Lubian dhe notarja Carlotta Gilli. Të pranishëm ishin edhe tre sportistë që kishin marrë pjesë në Lojërat Olimpike të Torinos 2006.
Bagnaia ishte i fundit që mbajti pishtarin dhe flakën olimpike e vendosi në kazanin olimpik në Piazza Castello në Torino.
🔥🏅|| El fuego olímpico ya ilumina Torino, mientras Pecco Bagnaia enciende el pebetero en Piazza Castello. pic.twitter.com/sxL8ntNBfM
— Cinco Radio Oficial (@laredcincoradio) January 12, 2026
Në ditët në vijim, pishtari do të udhëtojë nëpër Lombardi, zonën përreth Venecias, Trentino dhe Tirolin e Jugut. Atë do ta mbajnë, ndër të tjerë, trajneri i futbollit Max Allegri, ish-futbollistët Cesc Fabregas dhe Javier Zanetti, ish-basketbollisti Andrea Meneghin, ish-volejbollisti Lorenzo Bernardi, ish-tenistet Flavia Pennetta dhe Francesca Schiavone, legjenda e motociklizmit Giacomo Agostini, si dhe shumë çiklistë, rugbistë, notarë, skiatorë dhe personalitete të jetës publike.



