Ulja drastike e peshës së makinave pritet të jetë një nga betejat kryesore të Formula 1 në fillim të sezonit 2026.
Me rregulloret e reja, FIA ka vendosur peshën minimale të makinave në 768 kg, 32 kg më pak se kufiri aktual, pavarësisht rritjes së komponentit elektrik të motorëve hibridë.
Makina më të vogla dhe goma më të ngushta do të ndihmojnë në kursimin e peshës, por shumë ekipe pranojnë se objektivi është tepër ambicioz. Çdo 10 kg peshë shtesë i kushton rreth 0.3 sekonda për xhiro, çka mund të ndikojë drejtpërdrejt në renditjen e forcave në fillim të epokës së re.
“Shumica e ekipeve do të jenë mbi peshë”, tha shefi i Williams, James Vowles, duke e cilësuar kufirin si agresiv, por të menaxhueshëm në afat mesatar.
Edhe Mercedes e pranon se pesha mbetet një sfidë madhore, pasi heqja e kilogramëve pas ndërtimit të makinës është shumë e kushtueshme dhe pengon zhvillimin. FIA synon ta ulë edhe më tej peshën e makinave në të ardhmen, madje nuk përjashtohet rikthimi i motorëve më të thjeshtë pas vitit 2030. Kjo qasje mbështetet edhe nga pilotët, të cilët prej vitesh ankohen se makinat aktuale janë shumë të rënda dhe të mëdha.
“Makinat e sotme janë shumë të rënda dhe jo argëtuese për t’u drejtuar”, tha Fernando Alonso, i cili debutoi në F1 në vitin 2001, kur pesha e makinave ishte nën 600 kg.



