FIFA ka bërë të ditur se interesimi për Kupën e Botës të këtij viti ka qenë jashtëzakonisht i madh, duke konfirmuar se janë regjistruar më shumë se 500 milionë kërkesa për bileta.
Organizata botërore e futbollit njoftoi se, përveç tre vendeve pritëse, Shteteve të Bashkuara, Meksikës dhe Kanadasë, kërkesat më të shumta kanë ardhur nga tifozë në Gjermani, Angli, Brazil, Spanjë, Portugali, Argjentinë dhe Kolumbi.
Pas kritikave të shumta lidhur me çmimet e larta të biletave, FIFA njoftoi muajin e kaluar se do të ofrojë bileta me çmim të reduktuar prej 60 dollarësh për ndeshje për 48 shoqatat kombëtare që marrin pjesë në turne.
Sipas FIFA-s, shoqatat kombëtare do të vendosin vetë mënyrën e shpërndarjes së këtyre biletave për tifozët e tyre, kryesisht për ata që kanë ndjekur më parë ndeshjet e kombëtareve përkatëse.
Gjatë fazës së tretë të shitjeve të biletave, e cila u zhvillua nga 11 dhjetori deri të martën, ndeshja që tërhoqi interesimin më të madh ishte përballja mes Kolumbisë dhe Portugalisë, e planifikuar për 27 qershor në Miami Gardens, Florida.
Ndër ndeshjet e tjera më të kërkuara janë takimi mes Meksikës dhe Koresë së Jugut më 18 qershor në Guadalajara, ndeshja hapëse mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut më 11 qershor në Mexico City, finalja e madhe më 19 korrik në East Rutherford, New Jersey, si dhe një ndeshje e raundit të dytë më 2 korrik në Toronto.
FIFA bëri gjithashtu të ditur se aplikantët për bileta do të njoftohen për rezultatet jo më herët se data 5 shkurt.
Për ndeshjet ku kërkesa tejkalon kapacitetin e stadiumeve, biletat do të shpërndahen përmes një përzgjedhjeje të rastësishme. /AutoPortali



