Një 28-vjeçar nga Kosova, fshati Turjakë i Malishevës, ka humbur jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë trafiku që ka ndodhur në Slloveni.
Lajmi është bërë i ditur nga faqja zyrtare e fshatit Turjakë, e cila ka shprehur ngushëllime për familjen Kastrati dhe të afërmit e viktimës, duke bërë të ditur se detajet rreth kohës së varrimit do të njoftohen më vonë.
Aksidenti fatal ka ndodhur në autostradën A1, në aksin rrugor mes Lubjanës dhe Mariborit, konkretisht në afërsi të Slovenska Bistricës.
Sipas raportimeve, një autocisternë që transportonte karburant ka humbur kontrollin, është përmbysur dhe më pas është përfshirë nga flakët.
Për ngjarjen tragjike kanë raportuar edhe mediat sllovene, duke bërë të ditur se përveç viktimës, edhe dy persona të tjerë kanë mbetur të lënduar si pasojë e aksidentit.
Sipas informacioneve të Policisë sllovene, aksidenti ka ndodhur rreth orës 08:00 të mëngjesit.
Shoferi i autocisternës, i cili po udhëtonte në drejtim të Mariborit, ka humbur kontrollin mbi automjetin, është përplasur fillimisht me barrierën ndarëse të autostradës dhe më pas është përmbysur në kahun e kundërt, ku është përplasur edhe një furgon.
Shkaqet e këtij aksidenti të rëndë mbeten ende të paqarta, ndërsa autoritetet kompetente në Slloveni kanë nisur hetimet për të sqaruar rrethanat e plota të ngjarjes.



