Jurgen Klopp është një nga emrat më të përfolur së fundmi në ambientet madrilene, teksa mediat spanjolle e kanë lidhur atë me një rikthim të mundshëm në pankinë, këtë herë si trajner i Real Madridit.
Megjithatë, 58-vjeçari ka lënë të kuptohet qartë se, të paktën për momentin, nuk ka ndërmend të rikthehet në rolin e trajnerit.
I pyetur për interesimin e “Los Blancos”, Klopp ka theksuar se është i kënaqur me situatën e tij aktuale dhe nuk ndien nevojën për një ndryshim të menjëhershëm.
“Personalisht jam shumë i kënaqur me situatën time. Nuk do të doja të isha në asnjë vend tjetër. A do të kthehem në pankinë? Në këtë moment them se jo, por kurrë mos thuaj kurrë. Nuk pres që ta ndryshoj opinionin tim, por nuk e di”, është shprehur Klopp.
Trajneri gjerman ka folur gjithashtu edhe për shkarkimin e Xabi Alonsos nga pankina e Realit të Madridit, një vendim që sipas tij i ka shkaktuar ndjenja të përziera.
“Kur mësova për lajmin e Xabi Alonsos, u ndjeva pak i pavendosur. U habita dhe njëkohësisht nuk u habita. Mendova ‘çfarë?’, e më pas ‘po, sigurisht’”, ka deklaruar Klopp, duke e krahasuar këtë situatë me shkarkimin e Jupp Heynckes nga Reali pas fitimit të Champions League në vitin 1998.
Në fund, Klopp ka zgjedhur të japë edhe një këshillë për Realin e Madridit dhe klubet e tjera që janë në kërkim të një trajneri të ri.
“Klubeve që vendosin të largojnë një trajner, do t’u rekomandoja të kenë një ide më të qartë për pasuesin dhe të jenë më realistë”, tha Klopp. “Nëse besojnë se mund të marrin Pep Guardiolën, do të thosha se shanset nuk janë shumë të mëdha” – është shprehur ai. /AutoPortali



