Mourinho shpreh interesimin për të qenë trajner i Juventusit
M

Mourinho shpreh interesimin për të qenë trajner i Juventusit

Trajneri i Benficës, Jose Mourinho, ka lënë pas rivalitetet e së kaluarës me Juventusin, në prag të përballjes mes dy skuadrave në Champions League.

Portugezi ka folur hapur për marrëdhënien e tij me “Bianconerët”, duke theksuar se e shkuara nuk përbën më pengesë.

I njohur si “The Special One”, Mourinho kishte përjetuar rivalitet të fortë me Juventusin gjatë periudhës kur drejtonte Interin, kohë në të cilën fitoi tripletën dhe u përfshi në disa polemika me klubin torinez.

Përplasjet mes palëve vazhduan edhe më vonë, kur ai ishte trajner i Manchester United, sidomos në një ndeshje të Champions League të zhvilluar në Torino.

Megjithatë, këto episode nuk e kanë ndikuar Mourinhon në qëndrimin e tij aktual, madje ai ka pranuar se në të ardhmen do ta merrte pa hezitim drejtimin e Juventusit.

“Po, do ta drejtoja Juventusin. Nuk më habit fakti që ata zgjodhën Spallettin, sepse është një trajner i madh. Ajo që më çudit është kur klube të mëdha vendosin për trajnerë të panjohur”, është shprehur Mourinho.

“The Special One” ka folur edhe për situatën e Benficës në kompeticion, duke theksuar rëndësinë jetike të ndeshjes së radhës. Sipas tij, skuadra ka nevojë urgjente për fitore për të mbajtur gjallë shpresat për një vend në play-off.

“Duhet të fitojmë patjetër. Vetëm fitorja na mban në lojë dhe na lehtëson presionin për ndeshjen pasuese. Për ne është ose fitore, ose asgjë. Jemi Benfica, një klub me histori të madhe, edhe pse kemi shumë lojtarë të dëmtuar. Ata që janë në dispozicion e dinë peshën e fanellës që mbajnë”, përfundoi Mourinho./AutoPortali

TË FUNDIT