Ish-piloti i Formula 1, Ralf Schumacher, ka shprehur mendimin se Ferrarin e pret një katastrofë e re në vitin 2026, për shkak të qasjes së Scuderias ndaj zhvillimit të njëvendëshes SF-26.
Shefi i gjigantit italian, Frederic Vasseur, ka deklaruar para Krishtlindjeve se në testet e Barcelonës javën e ardhshme do të shohim një version të makinës që do të ndryshojë ndjeshëm përpara nisjes së sezonit. Ende nuk është e qartë se kur saktësisht versioni B i makinës do të dalë në pistë, por pritet që kjo të ndodhë gjatë njërës prej dy seancave testuese në Bahrein në muajin shkurt.
Edhe pse Ferrari nuk është i vetmi ekip që ndjek një qasje të ngjashme, Schumacher sheh shenja paralajmëruese te Scuderia. Sipas tij, kjo qasje vjen si pasojë e mendimeve diametralisht të kundërta të Lewis Hamiltonit dhe Charles Leclercut, gjë që nuk është aspak e mirë për Ferrarin.

“Sa i përket Ferrarit, duket se atje po përgatitet sërish një katastrofë, të paktën kështu lexohet mes rreshtave. Kjo është ajo që bie më shumë në sy. Duket sikur po zhvillojnë dy makina të ndryshme. Supozoj se kjo vjen nga fakti që Leclerc dhe Hamilton kanë dy mendime krejtësisht të ndryshme për makinën. Nëse kjo është e vërtetë, atëherë katastrofa është e sigurt. Gjithmonë kam thënë se nuk mund të zhvillosh dy makina të ndryshme, dhe vetë Fred Vasseur e ka thënë këtë gjë që është larg nga idealja”.



