Ylli i Real Madridit, Vinicius Junior, ka përsëritur publikisht dëshirën e tij për të vazhduar aventurën me klubin madrilen edhe përtej vitit 2027, pavarësisht spekulimeve të shumta rreth së ardhmes së tij.
Kontrata aktuale e sulmuesit brazilian skadon verën e ardhshme, por ai ka bërë të ditur se ndihet i qetë dhe i sigurt sa i përket të ardhmes së tij në “Santiago Bernabeu”.
“Dua të qëndroj këtu për një kohë të gjatë”, deklaroi Vinicius Junior, i cili shkëlqeu me paraqitjen e tij në ndeshjen ndaj Monacos.
Braziliani pranoi se ka diskutime në vazhdim për rinovimin e kontratës, por theksoi se nuk ka asnjë presion për ta mbyllur menjëherë marrëveshjen.
“Ka shumë diskutime për rinovimin e kontratës sime sepse më ka mbetur edhe një vit. Jemi shumë të qetë për këtë çështje”, u shpreh ai.
Vinicius gjithashtu nënvizoi marrëdhënien e shkëlqyer që ka me presidentin e klubit, Florentino Perez, duke shtuar se palët kanë besim të ndërsjellë.
“Unë i besoj atij dhe ai më beson mua. Ne kemi një marrëdhënie shumë të mirë dhe do t’i zgjidhim gjërat në kohën e duhur. Nuk kemi asnjë nxitim për ta bërë këtë”, përfundoi sulmuesi brazilian./AutoPortali



