Gara e Australisë ishte një zhgënjim për skuadrën Red Bull, që pas “pole” të ditës së shtunë me Max Verstappen synonte një fitore në Melburn. Gjithsesi, gara e së dielës solli probleme për makinën e holandezit, që u tërhoq pas katër xhirosh.
Jo vetëm kaq, por gara australiane tregoi një Ferrari të shpejtë dhe konkurruese, aq sa Sergio Perez nuk mund të rivalizonte dot, duke u renditur i pesti.
Christian Horner, shefi i Red Bull, shpjegoi: “Problemi i frenave të Max ishte padyshim shumë zhgënjyes. Që në fillim ai kishte ndjesinë e bllokimit, sikur të ishte ndezur frena e dorës. Për herë të parë në dy vjetët e fundit ne nuk e kemi përfunduar garën. Është shumë zhgënjyese. Me Sergio kishim dëmtime në fund dhe për këtë arsye ai humbi mjaft ngarkesë në pjesën e poshtme të makinës”, tha Horner.

“Më pas, ai pati vështirësi edhe me gomat, gjë që është krejt e pazakontë për ne. Kemi shumë për të mësuar nga kjo garë, por është zhgënjyese të kthehesh në shtëpi me një vend të pestë”, u shpreh Chris Horner.
Duke folur për Ferrari, ai tha: “Urime për Carlos, veçanërisht pas operacionit të tij të apendiksit. Ai
kishte një garë shumë të fortë dhe ishte piloti dominues i Ferrari. Urime atij dhe Ferrarit. Rivalët janë afruar patjetër më shumë”.



