Transferimi i Marc Cucurella te Real Madridi shënoi fillimin e një etape të re në karrierën e tij, por solli edhe një problem mjaft të pazakontë jashtë fushës. Mbrojtësi i majtë spanjoll, gjatë viteve që luajti në Angli, krijoi një koleksion mbresëlënës makinash. Megjithatë, kthimi në atdhe e përballi me një dilemë të papritur: si t’i drejtojë makinat e tij, të cilat kanë timonin në anën e djathtë?
Cucurella kishte krijuar një koleksion të admirueshëm makinash në Angli. Mes tyre spikasin Audi Q7, si dhe Mercedes-AMG G 63. Problemi është se në Angli makinat lëvizin në anën e majtë të rrugës, ndërsa në Spanjë në anën e djathtë.
Edhe pse ligji spanjoll lejon drejtimin e makinave me timon në të djathtë, Cucurella do të përballet me një procedurë të ndërlikuar burokratike dhe teknike nëse dëshiron t’i mbajë makinat e tij në rrugët e Madridit.
Kur luan për Real Madrid, duhet të ngasësh BMW
Administrata spanjolle e trafikut (DGT) kërkon që të gjitha automjetet e importuara t’i nënshtrohen një kontrolli teknik të posaçëm për të marrë targat spanjolle. Problemi kryesor janë fenerët: ata të makinave nga Anglia janë projektuar që rrezja e dritës të drejtohet majtas. Në Spanjë, kjo mund të verbojë drejtuesit që vijnë nga kahu i kundërt, ndaj fenerët duhet të zëvendësohen ose përshtaten.
Zhvendosja e timonit në anën e majtë nuk është një zgjidhje e thjeshtë. Ky është një proces jashtëzakonisht i kushtueshëm dhe kompleks, që kërkon ndryshimin e sistemit të drejtimit dhe frenimit, pedaleve, panelit të komandimit dhe instalimeve elektrike, si dhe leje e certifikime të veçanta.
Fatmirësisht për futbollistin spanjoll, Real Madrid ka një zgjidhje që do t’ia lehtësojë menjëherë përshtatjen me jetën në kryeqytet. Si lojtar i “klubit mbretëror”, Cucurella përfiton një makinë krejtësisht të re dhe falas nga flota zyrtare e BMW, një prej sponsorëve kryesorë të klubit.



