Komiteti Olimpik i Kosovës (KOK) do të mbajë sot një konferencë për media me rastin e prezantimit zyrtar të ekipit olimpik që do ta përfaqësojë Kosovën në Lojërat Olimpike Dimërore Milano Cortina 2026.
Kjo konferencë shënon një moment të rëndësishëm për sportin kosovar, në prag të një prej ngjarjeve më të mëdha sportive në botë.
Ngjarja do të mbahet në ambientet e KOK-ut, duke filluar nga ora 11:00, ku pritet të bëhen publike emrat e sportistëve që do të përfaqësojnë Kosovën, si dhe të prezantohen objektivat, përgatitjet dhe pritshmëritë e delegacionit kosovar për këtë edicion olimpik.
Gjatë konferencës, përfaqësuesit e KOK-ut do të flasin edhe për rëndësinë e pjesëmarrjes së Kosovës në Lojërat Olimpike Dimërore, sfidat me të cilat janë përballur sportistët gjatë përgatitjeve, si dhe mbështetjen institucionale ndaj ekipit olimpik.
Lojërat Olimpike Dimërore Milano Cortina 2026 do të zhvillohen nga 6 deri më 22 shkurt 2026, në qytetet Milano dhe Cortina d’Ampezzo në Itali.
Kjo ngjarje madhore do të mbledhë atletë nga mbarë bota, të cilët do të garojnë në disiplinat kryesore të sporteve dimërore.
Pjesëmarrja e Kosovës në këto lojëra përfaqëson një tjetër hap të rëndësishëm për afirmimin e sportit kosovar në arenën ndërkombëtare dhe një mundësi për sportistët që të prezantojnë potencialin e tyre në skenën olimpike./AutoPortali



