Ramos me marrëveshje për blerjen e Sevilla-s
R

Ramos me marrëveshje për blerjen e Sevilla-s

Legjenda e futbollit, Sergio Ramos, është një hap më afër të bërit pronar i Sevilla FC, klubit ku nisi karrierën e tij si profesionist.

Sipas mediave spanjolle, Ramos ka arritur një marrëveshje në parim me grupin e aksionerëve të klubit andaluz për të nisur procesin e blerjes së skuadrës.

Oferta fillestare e paraqitur për blerjen e klubit kap rreth 450 milionë euro, dhe Ramos së bashku me partnerin e tij të biznesit, Martin Ink, pjesë e grupit investues “Five Eleven Capital”, tani kanë ekskluzivitet për të shqyrtuar situatën financiare të klubit para finalizimit të marrëveshjes.

Procesi përfshin një auditim të thelluar të llogarive dhe negociata për kushtet përfundimtare, që pritet të zgjasin disa javë deri disa muaj.

Ende nuk ka një konfirmim zyrtar për përfundimin e transaksionit, por hapi i fundit tregon se Ramos dhe ekipi i tij janë seriozë në këtë projekt.

Ramos, i cili aktualisht është jashtë kontratës pas largimit nga Monterrey, ka luajtur për Sevillan në dy periudha, fillimisht në karrierën e tij të hershme dhe më pas gjatë sezonit 2023/24.

Nëse marrëveshja përfundohet, Ramos do të bëhet pjesë e një prej operacioneve më të rëndësishme të pronësisë në futbollin spanjoll, duke u rikthyer në vendin ku gjithçka filloi për të, këtë herë si pronari i klubit që e formoi si lojtar./AutoPortali

TË FUNDIT