Ancelotti afër rinovimit të kontratës më Brazilin
A

Ancelotti afër rinovimit të kontratës më Brazilin

Carlo Ancelotti është i gatshëm ta vazhdojë kontratën e tij me Federatën e Futbollit të Brazilit, ndërsa palët tashmë kanë nisur bisedimet për të ardhmen e bashkëpunimit.

Kontrata aktuale e trajnerit italian me përfaqësuesen e Brazilit përfundon pas Kupës së Botës, e cila do të mbahet këtë vit në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, Kanada dhe Meksikë.

Presidenti i Federatës Braziliane të Futbollit, Samir Xaud, ka konfirmuar në një intervistë për mediumin “Lance” se ekziston interes i ndërsjellë për vazhdimin e kontratës, duke theksuar se Ancelotti vlerësohet shumë për punën që po bën në krye të përfaqësueses braziliane.

“Bisedimet kanë filluar tashmë dhe të dyja palët janë të interesuara. Një vazhdim i kontratës para fillimit të Kupës së Botës është shumë i rëndësishëm për futbollin brazilian. Ai ka vërtetuar cilësinë dhe kompetencën në një kohë të shkurtër, si trajner dhe si person. Ne duam ta vazhdojmë këtë punë dhe t’i japim më shumë kohë për t’iu përkushtuar futbollit brazilian”, ka deklaruar Xaud.

Ancelotti mori drejtimin e përfaqësueses së Brazilit vitin e kaluar, ndërsa synimet e tij janë të qarta drejt suksesit në arenën ndërkombëtare.

Trajneri italian konsiderohet një nga figurat më ikonike të futbollit botëror, me një karrierë të mbushur me suksese të mëdha, veçanërisht me skuadrën e Real Madridit. /AutoPortali

TË FUNDIT