Mercedes e ka nisur fuqishëm sezonin pas testeve private në Barcelonë, ku George Russell dhe Andrea Kimi Antonelli treguan ritëm shumë konkurrues. Antonelli u shpreh se synimi i tij është fitorja dhe lufta për titull, duke theksuar se ndihet më i përgatitur pas përvojës së fituar sezonin e kaluar.
Italiani tha se ka analizuar me kujdes gabimet dhe sukseset e vitit të shkuar, ndërsa testet në Barcelonë i ndihmuan si pilotët ashtu edhe ekipin të kuptojnë më mirë makinën e re. Sipas tij, W17 është më e vogël, më e lehtë dhe më e shkathët, duke ofruar më shumë argëtim dhe fleksibilitet në konfigurim.
Antonelli shtoi se mbeti menjëherë i mahnitur nga makina dhe mezi pret ta drejtojë sërish në Bahrein, ndërsa vlerësoi edhe George Russell si një pilot shumë të fortë dhe gati për të luftuar për titull.



