Kupa e Kosovës në basketboll po hyn në fazën vendimtare, teksa gara po i afrohet përfundimit të sezonit me emocionet që priten të kulmojnë sonte.
Mbrëmjen e sotme zhvillohen dy ndeshjet e para gjysmëfinale, të cilat pritet të sjellin spektakël dhe rivalitet të fortë në parket, me katër skuadra që synojnë biletën për finalen e madhe.
Gjysmëfinalja e parë do të vë përballë Bashkimin dhe Sigal Prishtinën, dy emra të mëdhenj të basketbollit kosovar me histori dhe ambicie të mëdha. Prizrenasit vijnë në këtë fazë pasi eliminuan GO+ Pejën në çerekfinale, ndërsa prishtinasit siguruan kalimin pas fitores ndaj Vëllaznimit. Të dyja skuadrat synojnë finalen dhe trofeun e çmuar të Kupës së Kosovës.
Në gjysmëfinalen tjetër, Trepça do të përballet me Borën, në një duel po ashtu shumë interesant. Kampionët nga Mitrovica hyjnë në këtë ndeshje me synimin për të mbrojtur trofeun, ndërsa Bora kërkon të shkruajë histori duke arritur finalen e parë të Kupës. Trepça në çerekfinale eliminoi Golden Eagle Yllin, ndërsa prishtinasit e Borës kaluan Rahovecin 029.
Të dy takimet gjysmëfinale do të zhvillohen sonte me fillim nga ora 18:45, duke premtuar një mbrëmje të zjarrtë basketbolli për adhuruesit e këtij sporti në Kosovë./AutoPortali



