Imazhet e para të Mercedes W17 u publikuan më 22 janar dhe më pas makina doli në pistën e Barcelonës për testet e para. Ky është një sezon i veçantë si për Formula 1, e cila do të sjellë një epokë të re me ndryshime të shumta rregulloresh, ashtu edhe për Mercedes, siç e konfirmoi shefi Toto Wolff.
“Viti 2026 përfaqëson një moment përcaktues për ekipin tonë dhe për këtë sport. Ky vit do të paraqesë disa nga ndryshimet më sfiduese në rregulloret teknike me të cilat jemi përballur ndonjëherë. Këto rregulla do të testojnë çdo aspekt të organizatës sonë, duke krijuar mundësi të rëndësishme për inovacion dhe duke vendosur standarde të reja”, tha Wolff.
Më tej, ai tha: “Ne i afrohemi kësaj epoke të re me ambicie të qartë, ekzekutim të fokusuar dhe një angazhim pa kompromis për rezultate. George e Kimi përfaqësojnë më së miri programin tonë të pilotëve“.
“George është bërë një nga pilotët më të plotë dhe të besueshëm në sport, një pikë referimi për sa i përket shpejtësisë, inteligjencës dhe lidershipit. Kimi sjell me vete talent dhe guxim, të kombinuara me një dëshirë për të mësuar që përshpejton rritjen e tij”, shtoi menaxheri i Mercedes.
“Ata do të vazhdojnë të sfidojnë dhe mbështesin njëri-tjetrin; ndërsa hyjmë në këtë epokë të re rregulloresh. Ky bashkëpunim, në pistë, në simulator dhe në fabrikë, do të jetë një forcë e madhe në avancimin e ekipit“, tha Wolff.



