Trajneri i Juventusit, Luciano Spalletti, u detyrua të ndryshonte planet e tij taktike gjatë pushimit të pjesës së parë në ndeshjen e Serie A ndaj Lazios, e zhvilluar të dielën mbrëma në Allianz Stadium, e cila përfundoi me rezultatin 2-2.
Bardhezinjtë e mbyllën pjesën e parë në disavantazh 1-0, pas golit të shënuar nga Pedro, ndërsa Spalletti kishte përgatitur një lëvizje më ofensive për të ndryshuar rrjedhën e takimit në pjesën e dytë.
Sipas asaj që raporton “Football Italia”, strategu italian kishte planifikuar fillimisht largimin nga loja të mbrojtësit të krahut Juan Cabal, për t’i bërë vend anësorit portugez Francisco Conceicao.
Ky i fundit u pa duke marrë udhëzime të detajuara nga stafi teknik gjatë nxehjes në pushimin mes dy pjesëve, duke sinjalizuar se ishte gati për aktivizim.
Megjithatë, situata ndryshoi në momentet e fundit, pasi Conceicao ndjeu shqetësime në gju gjatë nxehjes.
Pas konsultimeve me stafin mjekësor, Juventusi vendosi të mos e rrezikonte lojtarin portugez, duke marrë parasysh gjendjen e tij fizike dhe rrezikun e një dëmtimi më serioz.
Si pasojë, Spalletti u detyrua të modifikonte zgjedhjen e tij dhe vendosi të aktivizonte Edon Zhegrovën, i cili hyri në fushë në vend të Juan Cabal në fillim të pjesës së dytë.
Situata për Juventusin u komplikua edhe më shumë, pasi Lazio shënoi golin e dytë me Gustav Isaksen. Megjithatë, bardhezinjtë reaguan më vonë, duke rikthyer balancën në lojë.
Weston McKennie ngushtoi rezultatin pak para minutës së 60-të, ndërsa Pierre Kalulu realizoi golin e barazimit dramatik vetëm 15 sekonda para fillimit të kohës shtesë, duke i siguruar Juventusit një pikë të vlefshme.
Ndryshimi i detyruar nga Spalletti dhe aktivizimi i Zhegrovës në vend të Conceicaos u shndërrua kështu në një nga momentet më të diskutuara të mbrëmjes në Torino, me futbollistin kosovar që la një përshtypje pozitive dhe zhvilloi një paraqitje solide. /AutoPortali



